Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në kryeqytet kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka komentuar protestën e mbrëmshme, duke theksuar pjesëmarrjen e qytetarëve nga gjenerata të ndryshme.
“Mbrëmë krejt gjeneratat bashkë! Bashkë për drejtësi”, ka shkruar Rama.
Protestat në Prishtinë janë zhvilluar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Sipas raportimeve, në protestat e mbajtura në kryeqytet kanë marrë pjesë mijëra qytetarë.
Në protestat e ditëve të fundit kanë marrë pjesë edhe përfaqësues politikë, veteranë, familjarë të ish-krerëve të UÇK-së dhe qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës.
Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur në Kosovë dhe në diasporë janë zhvilluar protesta dhe tubime pas aktgjykimit, ndërsa janë bërë thirrje që reagimet publike të zhvillohen në mënyrë paqësore.





