Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka zhvilluar të mërkurën një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit politike dhe situata e krijuar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Takimi është bërë publik më 23 shtator.
Sipas Gjinit, gjatë takimit është diskutuar për situatën politike pas vendimit të Hagës, por edhe për zhvillimet kushtetuese dhe politike në Kosovë. Ai ka bërë të ditur se ambasadorit britanik i ka prezantuar qëndrimin e Aleancës lidhur me zhvillimet aktuale në vend.
“E njoftova se Aleanca mban konsistencën e saj në mbrojtje të interesit shtetëror dhe demokracisë”, ka shkruar Gjini pas takimit.
Kreu i Aleancës ka falënderuar Hargreaves për, siç është shprehur ai, rolin aktiv të ambasadorit dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.
Takimi vjen një javë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Më 16 shtator, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara i shpalli katër të akuzuarit fajtorë për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.







