Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se nuk ka informacione nëse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është takuar me kryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
E pyetur nëse priten takime të reja mes liderëve dhe nëse brenda LDK-së është diskutuar së fundmi për këtë çështje, Bajrami tha se nuk ka marrë pjesë në diskutime dhe se nuk posedon informacione për zhvillime të tilla.
“Nuk kemi diskutu. S’kam diskutu. Asnjë informatë s’e kam”, deklaroi ajo.
Bajrami u pyet gjithashtu për mundësinë që LDK-ja të ketë një kandidat të saj për president. Ajo tha se nuk dëshiron të paragjykojë emra konkretë dhe se qëndrimi i saj do të varej edhe nga personi që do të propozohej.
“Për besë nuk mund të presupozoj. Sigurisht që varet prej emrit. Nëse ka kandidat të LDK-së, unë votoj për”, tha Bajrami.
Çështja e presidentit është rikthyer në qendër të diskutimeve politike për shkak të afatit kushtetues që po afrohet. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Kurti dhe Abdixhiku kishin zhvilluar më herët diskutime për arritjen e një marrëveshjeje rreth kandidaturës për president. Marrëveshja e mëparshme për kandidaturën e Bekim Sejdiut hasi kundërshtime nga gjashtë deputetë të LDK-së, ndërsa Sejdiu më pas u tërhoq nga kandidatura.
Me afrimin e 6 tetorit, çështja e sigurimit të votave për presidentin mbetet një nga temat kryesore mes partive parlamentare.







