Janë publikuar oraret dhe pikat e organizuara të nisjes së autobusëve për qytetarët që synojnë të marrin pjesë në protestën e 1 tetorit në Prishtinë, e cila do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” duke filluar nga ora 16:00.
Transport i organizuar është paralajmëruar nga një numër i madh komunash dhe vendbanimesh të Kosovës, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të udhëtojnë drejt kryeqytetit për tubimin e së enjtes.
Nisje me autobusë janë organizuar nga Prizreni, Suhareka, Vitia, Ferizaj, Podujeva, Kamenica, Vushtrria, Malisheva, Gjakova, Istogu, Kaçaniku, Drenasi, Skenderaj, Klina, Rahoveci dhe Lipjani, si dhe nga lokalitete të tjera.
Për Skenderajn, është bërë e ditur se transporti nga bashkësitë lokale do të organizohet nga ora 12:00, ndërsa nisja e përbashkët drejt Prishtinës është paraparë në orën 13:00 nga Palestra Sportive “Ilaz Kodra”.
Protesta do të mbahet nën moton “Jo në emrin tim”, pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Organizatorët kanë sqaruar se aktiviteti i 1 tetorit do të zhvillohet si tubim në sheshin “Skënderbeu”, e jo si marsh nëpër rrugët e Prishtinës, siç ishte paralajmëruar fillimisht. Tubimi pritet të zgjasë rreth një deri në një orë e gjysmë dhe të ketë disa folës.
Data e 1 tetorit është zgjedhur edhe për shkak të simbolikës së protestës studentore të 1 tetorit 1997, e cila konsiderohet një nga momentet e rëndësishme të rezistencës paqësore në Kosovë.
Qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt Prishtinës janë ftuar t’i përcjellin oraret dhe pikat e përcaktuara të grumbullimit në komunat e tyre, ndërsa tubimi qendror nis në orën 16:00.





