Gazetari dhe opinionisti Olti Curri ka reaguar pas shpërndarjes në internet të disa videove intime ku shfaqen personazhe të njohura të botës së artit dhe muzikës.
Curri ka bërë thirrje që materialet të mos shpërndahen më tej, duke argumentuar se personat që shfaqen në to duhet të trajtohen si viktima nëse regjistrimet janë realizuar pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre.
Ai ka kërkuar që personat e prekur të denoncojnë rastin dhe të kërkojnë përgjegjësi ndaj kujtdo që ka regjistruar apo shpërndarë materialet pa autorizim.
Curri ka ngritur shqetësimin edhe për pasojat emocionale dhe profesionale që një publikim i tillë mund të ketë, duke bërë thirrje që personat e përfshirë të marrin mbështetje nga familjarët, miqtë dhe profesionistët e shëndetit mendor.
Në reagimin e tij, ai ka bërë edhe një pretendim të rëndë, duke thënë se nga informacionet që pretendon se ka marrë nga miq të përbashkët, dy prej personave të përfshirë kanë tentuar vetëvrasjen dhe aktualisht po qëndrojnë nën kujdesin e njerëzve të afërt.
Ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht apo në mënyrë të pavarur, prandaj në këtë fazë mbetet vetëm deklaratë e Currit.
“Intimiteti i njerëzve nuk është spektakël”, ka qenë mesazhi i tij, teksa ka kërkuar sensibilizim të publikut dhe ndërprerjen e shpërndarjes së materialeve.
Ndërkohë, autoritetet në Tiranë kanë nisur hetime për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve intime në portale dhe platforma online.
Hetuesit e krimeve kibernetike po punojnë për identifikimin e adresave IP dhe të dhënave të profileve apo faqeve që kanë publikuar ose shpërndarë materialet, si dhe për largimin e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për disa vepra penale, përfshirë ndërhyrjen e padrejtë në jetën private dhe vepra që lidhen me të dhënat kompjuterike.
Hetimet për rastin vazhdojnë.




