Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thirrur për sot një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën pritet të diskutohet për performancën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Mbledhja është paraparë të nisë në orën 15:00 dhe të zhvillohet e mbyllur për media, në një periudhë kur brenda KPK-së janë intensifikuar diskutimet për rezultatet dhe funksionimin e Prokurorisë Speciale.

Debati i fundit lidhet me raportin krahasues për efikasitetin e prokurorive gjatë periudhës 2023-2025, ku Prokuroria Speciale është renditur me përqindjen më të ulët të zgjidhjes së lëndëve në raport me numrin e përgjithshëm të rasteve në punë.

Gjatë diskutimit për këtë raport janë shfaqur qëndrime të kundërta mes anëtarëve të KPK-së.

Anëtari Visar Krasniqi ka ngritur shqetësime për nivelin e efikasitetit dhe ka kërkuar analizim të mënyrës së menaxhimit dhe funksionimit të Prokurorisë Speciale.

Në anën tjetër, Milot Krasniqi, anëtar i KPK-së nga radhët e Prokurorisë Speciale, ka kundërshtuar mënyrën e krahasimit, duke argumentuar se statistikat nuk pasqyrojnë plotësisht natyrën dhe kompleksitetin e lëndëve që trajtohen nga kjo prokurori.

Ai ka theksuar se Prokuroria Speciale merret me raste të krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve të luftës, terrorizmit dhe veprave të tjera komplekse, të cilat mund të kërkojnë periudha më të gjata hetimore.

Diskutimet për punën e Isufajt nuk kanë nisur vetëm me raportin e fundit.

Më 2 shtator, KPK-ja nuk e kishte miratuar raportin vjetor të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025. Katër anëtarë votuan kundër miratimit, ndërsa tre e mbështetën atë.

Gjatë atij raportimi pati përplasje dhe pyetje të shumta ndaj Isufajt, veçanërisht për ndarjen elektronike të lëndëve, organizimin e brendshëm të Prokurorisë dhe efikasitetin në trajtimin e rasteve.

Isufaj kishte kundërshtuar disa prej kritikave dhe kishte argumentuar se Prokuroria Speciale përballet me mungesë të prokurorëve në raport me numrin dhe kompleksitetin e rasteve.

Ai kishte thënë se në Prokurorinë Speciale janë 22 prokurorë të ngarkuar me lëndë, ndërsa kishte kërkuar shtimin e kapaciteteve njerëzore.

Në raportimin për vitin 2025, Isufaj kishte prezantuar edhe rezultatet e rasteve të përfunduara në gjykata, përfshirë çështje të krimeve të luftës, krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit dhe krimit financiar.

Mbledhja e sotme pritet të tregojë nëse KPK-ja do të kufizohet në diskutimin e performancës së kryeprokurorit të Speciales apo do të ndërmarrë edhe hapa të tjerë institucionalë.