Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka ngritur akuza ndaj Policisë së Kosovës pas përplasjeve të së hënës në Prishtinë, duke pretenduar se veteranë po merren nga Policia dhe se zyrtarë policorë po shkojnë edhe në shtëpitë e tyre.
Jashari tha se organizatat e dala nga lufta kanë informacione për veteranë që janë marrë nga Policia gjatë ditës së sotme.
Ai u bëri thirrje Policisë dhe personave që japin urdhra që, sipas tij, të mos tejkalojnë kompetencat gjatë trajtimit të protestuesve.
Jashari përmendi gjithashtu numrin e personave të lënduar gjatë përplasjeve të një nate më parë dhe tha se protestuesit do të vazhdojnë të qëndrojnë në shesh derisa Kuvendi të ndërmarrë veprime për Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pretendimi i Jasharit se Policia po shkon në shtëpitë e veteranëve nuk është konfirmuar deri tani nga Policia e Kosovës.
Në njoftimet zyrtare për ngjarjet e së hënës, Policia ka konfirmuar arrestimin e tre personave, prej të cilëve dy janë dërguar në mbajtje dhe një është liruar në procedurë të rregullt. Nuk është bërë e ditur nëse personat e arrestuar janë veteranë të UÇK-së.
Bilanci zyrtar pas përplasjeve është 20 policë të lënduar, ndërsa ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 protestues dhe një gazetar.
Jashari ka kërkuar gjithashtu që Kuvendi të mblidhet gjatë ditës së sotme dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohen edhe në lexim të dytë.
Ai ka shkuar një hap më tej, duke propozuar që në Projektligj të përfshihet edhe një dispozitë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Kjo kërkesë nuk është e njëjtë me versionin aktual të Projektligjit që po trajtohet në Kuvend, i cili parasheh ndryshimin dhe plotësimin e ligjit ekzistues dhe jo automatikisht shfuqizimin e plotë të Dhomave të Specializuara.
Protesta po vazhdon edhe sot në Prishtinë, me kërkesën që Kuvendi ta përfundojë votimin e Projektligjit në lexim të dytë.






