Bekim Sejdiu ka përsëritur se është tërhequr nga gara për president të Kosovës, pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti e përmendi sërish emrin e tij si kandidat për kreun e shtetit.
Sejdiu ka bërë të ditur se për vendimin e tij i ka njoftuar përsëri Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Kurtin.
“I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin, jam tërhequr nga gara”, ka deklaruar Sejdiu.
Deklarata e tij erdhi pasi Kurti, gjatë një konference për media më 6 tetor, vazhdoi ta konsideronte Sejdiun kandidat për president dhe kërkoi mbështetje edhe nga deputetët e PDK-së për zgjedhjen e tij. Kurti u shpreh gjithashtu i bindur se Sejdiu mund të rikthehej në garë për të shmangur zgjedhjet e reja.
Sejdiu ishte propozuar më 31 gusht si kandidat i përbashkët dhe jopartiak pas marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Megjithatë, më 14 shtator ai njoftoi tërheqjen nga kandidatura, duke përmendur mungesën e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet politike rreth procesit.
Në atë kohë, kundër kandidaturës së tij ishin deklaruar gjashtë nga 18 deputetët e LDK-së, çka e kishte vënë në pikëpyetje sigurimin e votave të nevojshme në Kuvend.
Deklarimi i fundit i Sejdiut vjen pikërisht më 6 tetor, në ditën kur përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.





