Situata në Trepçë po shkon drejt normalizimit pas avarisë me energjinë elektrike që la 63 minatorë të ngujuar në minierën e Stan Tërgut gjatë mbrëmjes së 7 tetorit.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka bërë të ditur se puna në minierë ka rifilluar dhe janë krijuar kushtet për vazhdimin e aktivitetit.

Pas rikthimit të energjisë janë aktivizuar edhe pompat për largimin e ujit që ishte grumbulluar gjatë kohës sa miniera kishte mbetur pa furnizim me rrymë.

Sipas Jonuzit, pompat janë vënë në funksion rreth orës 03:10 dhe kanë nisur largimin e ujit nga miniera.

Avaria kishte ndodhur rreth orës 19:30 në sistemin elektrik të Trafon Tuneli i Parë. Në momentin e ndërprerjes së energjisë brenda minierës ndodheshin 63 minatorë të ndërrimit të dytë.

Prej tyre, 54 minatorë dolën përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerët qëndruan brenda deri në rikthimin e furnizimit me energji.

Rryma në minierë u rikthye rreth orës 02:30, ndërsa nëntë minatorët e fundit dolën në sipërfaqe rreth orës 02:50. Gjendja e tyre shëndetësore është raportuar e mirë.

Pas rikthimit të energjisë, ndërrimi i parë ka nisur punën normalisht në minierë. Megjithatë, Njësia e Flotacionit ka mbetur jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga avaria, ndërsa ekipet teknike po vazhdojnë punën për sanimin e plotë të problemit.