Kosova ka nënshkruar një marrëveshje financimi në vlerë prej 41 milionë eurosh për përmirësimin e pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës shëndetësore në vend.
Marrëveshja është nënshkruar ndërmjet institucioneve të Kosovës, Bankës Evropiane për Investime (BEI) dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB).
Investimi synon furnizimin me pajisje moderne mjekësore dhe përmirësimin e kushteve në institucionet publike shëndetësore, përfshirë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe spitalet rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë dhe Gjilan.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se vlera e projektit është 41 milionë euro dhe financimi do të ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet dy institucioneve financiare ndërkombëtare.
Sipas tij, ky investim do të mundësojë sigurimin e pajisjeve të reja mjekësore dhe do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës për pacientët dhe profesionistët shëndetësorë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se modernizimi i teknologjisë mjekësore dhe infrastruktura shëndetësore janë pjesë e prioriteteve të strategjisë sektoriale të shëndetësisë për vitet 2025-2030.
Projekti “Medical Equipment and Infrastructure Upgrade” parasheh financimin e pajisjeve mjekësore dhe investimeve infrastrukturore në spitalet publike të Kosovës, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe përafrimin me standardet evropiane.







