Home > Ballina > Komisioni Evropian kundërshton ndryshimet në ligjin për Specialen, thotë se bien ndesh me obligimet e Kosovës

Komisioni Evropian kundërshton ndryshimet në ligjin për Specialen, thotë se bien ndesh me obligimet e Kosovës

///
Comments are Off

Komisioni Evropian ka kundërshtuar ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka ndaj Bashkimit Evropian.

Në reagimin e Bashkimit Evropian theksohet se ndryshimet ligjore cenojnë parimet mbi të cilat funksionon Gjykata Speciale dhe se pavarësia e saj duhet të respektohet plotësisht.

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjatë një deklarimi më 12 tetor në Luksemburg, i ka cilësuar ndryshimet si të papranueshme, duke kundërshtuar ndryshimin e rregullave ligjore ndërkohë që proceset gjyqësore janë ende në zhvillim.

Sipas saj, veprime të tilla bien ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit dhe mund të ndikojnë negativisht në rrugëtimin evropian të vendeve që synojnë anëtarësimin në BE.

Bashkimi Evropian ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara janë themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 2014 dhe 2015, funksionojnë brenda sistemit juridik të vendit dhe janë të përcaktuara në Kushtetutë.

Në qëndrimin zyrtar të Brukselit kërkohet që Kosova të respektojë detyrimet ndërkombëtare, të garantojë pavarësinë e Gjykatës Speciale dhe të sigurojë mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave.

Ndryshimet ligjore u miratuan më 6 tetor në Kuvendin e Kosovës, me iniciativë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ndër propozimet e miratuara përfshihen kufizimi i kompetencave të Dhomave të Specializuara, ulja e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet dhe mundësia që disa çështje të trajtohen nga institucionet gjyqësore të Kosovës.

PDK-ja e ka mbrojtur iniciativën, duke argumentuar se Kuvendi ka të drejtën dhe përgjegjësinë të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore.

Megjithatë, Bashkimi Evropian këmbëngul se mandati dhe pavarësia e Gjykatës Speciale duhet të garantohen, ndërsa ndryshimet e miratuara kanë hapur një tjetër debat mbi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe institucioneve evropiane.

Verified by MonsterInsights