Shtatë spitale publike në Kosovë do të përfitojnë nga një investim prej 41 milionë eurosh, i cili synon modernizimin e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve.
Marrëveshja e kredisë është nënshkruar më 12 tetor në Prishtinë, ndërmjet Qeverisë së Kosovës, Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB).
Dy institucionet financiare do të kontribuojnë me nga 20.5 milionë euro, duke siguruar gjithsej 41 milionë euro për modernizimin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe gjashtë spitaleve rajonale.
Investimet do të përfshijnë blerjen e pajisjeve moderne për diagnostikim dhe trajtim, përfshirë skanerë CT, aparatura ultrazëri, pajisje për sallat e operacionit dhe përmirësimin e njësive të kujdesit intensiv.
Projekti pritet të përmirësojë cilësinë dhe qasjen në shërbimet shëndetësore për rreth 1.6 milionë qytetarë, duke krijuar kushte më të mira për pacientët dhe profesionistët shëndetësorë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka vlerësuar se marrëveshja përfaqëson një investim të rëndësishëm në shëndetin e qytetarëve dhe në përmirësimin e infrastrukturës spitalore.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se pajisjet moderne do t’u mundësojnë mjekëve dhe infermierëve diagnostikim më të hershëm dhe trajtim më cilësor të pacientëve.
Përveç kredisë prej 41 milionë eurosh, projekti ka përfituar edhe një grant prej 1.25 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian për përgatitjen e tij, ndërsa CEB ka miratuar deri në 750 mijë euro mbështetje shtesë për asistencë teknike gjatë zbatimit.
Modernizimi i spitaleve është pjesë e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030, e cila synon përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor në Kosovë.







