Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar i është përcjellë presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e cila tashmë ka tetë ditë kohë për të vendosur për shpalljen ose kthimin e tij në Kuvend.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka nënshkruar ligjin dhe ia ka dërguar Presidentes për dekretim. Këtë e ka konfirmuar këshilltari i saj, Glauk Tahiri.
“Ligji është miratuar në seancën plenare të Kuvendit më 6 tetor 2026 dhe i është përcjellë Presidentes në mbështetje të nenit 80, paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në konfirmimin e Tahirit.
Sipas nenit 80 të Kushtetutës, Presidentja ka tetë ditë kohë nga pranimi i ligjit për ta shpallur atë ose për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim. Në rast të kthimit, ajo duhet të japë arsyet përkatëse dhe këtë të drejtë mund ta ushtrojë vetëm një herë.
Nëse Presidentja nuk ndërmerr asnjë veprim brenda këtij afati, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa nënshkrimin e saj dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.
Kushtetuta përcakton se ligjet hyjnë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, përveç rasteve kur vetë ligji parasheh ndryshe.
Ndryshimet për Gjykatën Speciale u miratuan në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor, me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Nisma legjislative synon ndryshime në funksionimin dhe juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë kufizimin e dënimit maksimal me burgim dhe çështje që lidhen me kompetencat e gjykatës.
Para dërgimit në Presidencë, ligji i ishte nënshtruar afatit kushtetues gjatë të cilit së paku dhjetë deputetë mund të kontestonin kushtetutshmërinë e tij në Gjykatën Kushtetuese.
Tashmë, vendimi i radhës në procedurën e shpalljes së ligjit i takon presidentes Justina Shiroka-Pula.







