Home > Lajme > Policia mohon se Marigona Beadini është truproje e Dejona Mihalit, çfarë thotë ligji?

Policia mohon se Marigona Beadini është truproje e Dejona Mihalit, çfarë thotë ligji?

///
Comments are Off

Policia e Kosovës ka mohuar se zyrtarja e Njësisë Speciale Operative, Marigona Beadini, është e angazhuar në mbrojtjen e afërt të Dejona Mihalit, koordinatores së komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.

Reagimi i Policisë vjen pas publikimit të fotografive ku Beadini dhe Mihali shihen së bashku pranë zyrave të Vetëvendosjes, duke nxitur pikëpyetje për natyrën e shoqërimit të tyre.

Në një përgjigje të dhënë për media më 15 tetor, Policia ka sqaruar se Beadini nuk është e angazhuar zyrtarisht në detyra të mbrojtjes së afërt.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se zyrtarja në fjalë nuk është e angazhuar në detyrë në mbrojtje të afërt”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Kjo nuk është hera e parë që dyshja shihet së bashku. Në dhjetor të vitit 2025, fotografi të ngjashme kishin nxitur pretendime se zyrtarja policore po kujdesej për sigurinë personale të Mihalit.

Edhe atëherë, Policia e Kosovës kishte mohuar se i kishte ofruar mbrojtje të afërt zyrtares së Vetëvendosjes.

Çështja ka ngritur edhe pyetje lidhur me legjislacionin që rregullon angazhimin e pjesëtarëve të Policisë në shërbimet private të sigurisë.

Ligji nr. 08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2024, përcakton në nenin 24 se punëtorët e sigurimit privat dhe personat e tjerë të përfshirë në këto shërbime nuk mund të jenë njëkohësisht të punësuar në institucionet shtetërore të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës.

Po ashtu, ligji parasheh që shërbimet private të sigurisë të ofrohen përmes subjekteve të pajisura me lejet përkatëse dhe në bazë të marrëdhënieve kontraktuale.

Megjithatë, vetëm fakti që një zyrtare policore është fotografuar në shoqërinë e një personi politik nuk dëshmon se ajo po kryen shërbime private të sigurisë apo se ka shkelur ligjin.

Deri më tani, nuk është publikuar ndonjë dëshmi e verifikuar për ekzistencën e një kontrate private sigurimi ndërmjet Beadinit dhe Mihalit, ndërsa Policia ka mohuar angazhimin e saj në mbrojtje të afërt.

Beadini ishte identifikuar edhe gjatë angazhimit të Njësisë Speciale në protestën e veteranëve të UÇK-së më 5 tetor, ku ishte raportuar se kishte marrë pjesë në drejtimin e veprimeve të zyrtarëve policorë.

Pavarësisht sqarimit të Policisë, ende nuk është bërë e ditur publikisht natyra e shoqërimit të përsëritur mes Beadinit dhe Mihalit.

Verified by MonsterInsights