Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll u ka bërë thirrje qytetarëve kosovarë që ndodhen në këtë qytet të tregojnë kujdes të shtuar, pas reshjeve të dendura të shiut që kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme të shumta në qarkullim.
Përmes një njoftimi të publikuar më 15 tetor, Konsullata ka paralajmëruar qytetarët që të shmangin zonat e përmbytura, nënkalimet dhe rrugët ku është grumbulluar uji.
Gjithashtu, qytetarëve u është rekomanduar të kufizojnë lëvizjet e panevojshme gjatë reshjeve intensive dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
“Për sigurinë tuaj, ju rekomandojmë të qëndroni të informuar përmes burimeve zyrtare dhe të tregoni kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në qytet”, thuhet në njoftimin e Konsullatës.
Për qytetarët e Kosovës që kanë nevojë për ndihmë konsullore në raste emergjente, është vënë në dispozicion numri i telefonit +90 531 105 63 91.
Paralajmërimi vjen pas reshjeve të fuqishme që kanë përfshirë Stambollin që nga 14 tetori, duke shkaktuar përmbytje në rrugë, nënkalime, banesa dhe biznese.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet turke, vetëm gjatë periudhës nga ora 06:00 deri në 20:00 të 14 tetorit, shërbimet emergjente kanë pranuar 2,518 thirrje për ndihmë.
Në raportin e autoriteteve janë evidentuar 1,277 raste përmbytjesh, 15 rrëshqitje dheu dhe 47 raste të personave të bllokuar.
Situata ka mbetur e rënduar edhe më 15 tetor. Autoritetet turke kanë konfirmuar se numri i viktimave nga moti i keq ka arritur në tre, ndërsa katër persona raportohen të zhdukur.
Në disa zona të qytetit, ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë për evakuimin e personave të bllokuar dhe largimin e ujit nga rrugët e objektet.
Për shkak të kushteve të rënda atmosferike, autoritetet kanë ndërmarrë masa të sigurisë dhe kanë pezulluar mësimin në shkolla.
Konsullata e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që ndodhen në Stamboll të mos ndërmarrin udhëtime të panevojshme në zonat e prekura dhe të kontaktojnë shërbimin konsullor në rast nevoje.







