Pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe procedurash administrative, është dhënë leja për ndërtimin e xhamisë në fshatin Shkabaj të Prishtinës.
Lajmin e ka bërë të ditur Agron Canolli, i cili ka njoftuar se vendimi është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.
Përmes një postimi në Facebook, Canolli e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për banorët e Shkabajt dhe komunitetin e besimtarëve myslimanë.
“Një kërkesë e kahershme po merr rrugë drejt realizimit, duke dëshmuar se me vullnet, bashkëpunim dhe angazhim, punët e mira bëhen realitet”, ka shkruar Canolli.
Ai ka uruar banorët e Shkabajt dhe të gjithë besimtarët, duke shprehur dëshirën që xhamia të shërbejë si vend adhurimi, paqeje, bashkimi dhe mirësie.
Çështja e ndërtimit të xhamisë në Shkabaj ishte diskutuar prej vitesh. Në maj të vitit 2024, Inspektorati i Prishtinës kishte ndërhyrë për rrënimin e një objekti të nisur pa leje ndërtimi, veprim që kishte shkaktuar tensione mes disa banorëve dhe Policisë.
Në atë kohë, një pjesë e banorëve e mbështesnin ndërtimin, ndërsa të tjerë kishin kundërshtime lidhur me vendndodhjen e objektit.
Më 31 janar 2025, Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi me 32 vota për dhe asnjë kundër caktimin e lokacionit për ndërtimin e xhamisë dhe të një institucioni parashkollor në Shkabaj.
Procedurat e mëvonshme përfshinë edhe çështjet pronësore dhe përcaktimin e kushteve ndërtimore në zonën kadastrale të Orlloviqit.
Njoftimi i 16 tetorit për dhënien e lejes shënon një zhvillim të ri për realizimin e projektit. Megjithatë, ende nuk janë bërë të ditura hollësi për afatin e përfundimit, kapacitetin e xhamisë dhe koston e ndërtimit.







