Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arijeta Rexhepi, është zgjedhur kryesuese e Grupit të Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës.
Zgjedhja e saj është bërë gjatë mbledhjes së mbajtur të enjten, më 22 tetor, ndërsa lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Haxhiu e ka uruar Rexhepin për përgjegjësinë e re, duke vlerësuar angazhimin e saj të deritanishëm në arsim, drejtësi sociale dhe barazi gjinore.
Sipas kryetares së Kuvendit, Rexhepi, e cila po ushtron mandatin e katërt si deputete, ka treguar përkushtim të vazhdueshëm ndaj çështjeve që lidhen me të drejtat dhe përfaqësimin e grave.
“Me këtë përgjegjësi të re, ajo ka mundësinë të forcojë bashkëpunimin mes grave deputete, të çojë përpara barazinë gjinore dhe ta bëjë zërin e grave edhe më të fortë në Kuvend”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo i ka uruar Rexhepit suksese në detyrën e re dhe bashkëpunim të frytshëm me deputetet e tjera.
Grupi i Grave Deputete është një mekanizëm ndërpartiak në Kuvendin e Kosovës, i themeluar në vitin 2005, që bashkon deputete nga subjekte të ndryshme politike.
Ky grup angazhohet për avancimin e të drejtave të grave, fuqizimin e përfaqësimit të tyre në vendimmarrje dhe promovimin e barazisë gjinore përmes nismave dhe bashkëpunimit parlamentar.
Me marrjen e drejtimit të grupit, Rexhepi do të ketë përgjegjësinë e koordinimit të angazhimeve të përbashkëta të deputeteve për çështjet që lidhen me të drejtat dhe interesat e grave në Kosovë.






