Protesta e së shtunës në Tiranë është shoqëruar me një tjetër incident para godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit u kanë vënë flakën jastëkëve të vendosur rreth “tryezës së dialogut”, të cilën kryeministri Edi Rama e kishte vendosur si ftesë simbolike për bisedime.
Ngjarja ka ndodhur më 24 tetor, pasi një grup protestuesish, mes tyre deputetë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, marshuan nga selia e kësaj partie drejt Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në krye të marshimit u panë edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj.
Menjëherë pas mbërritjes para Kryeministrisë, disa protestues i vunë flakën jastëkëve që shërbenin si ulëse rreth tryezës së vendosur nga Rama. Incidenti ndodhi në kuadër të tubimit kombëtar të thirrur për të shtunën, ndërsa protestat studentore në Shqipëri kanë hyrë në ditën e 12-të.
Tryeza prej guri ishte vendosur mëngjesin e së shtunës para Kryeministrisë, e rrethuar me jastëkë dhe me fletë ku shkruhej fjala “Dialog”.
Përmes këtij veprimi, Rama kishte përsëritur ftesën për bisedime me studentët dhe protestuesit, pas disa ditësh tensionesh dhe përplasjesh gjatë demonstratave.
Ky nuk është rasti i parë që protestuesit refuzojnë simbolikisht ftesën e kryeministrit për dialog. Gjatë ditëve të mëparshme, karriget dhe stolat që ishin vendosur para godinës së qeverisë ishin larguar, përmbysur ose dëmtuar nga protestuesit.
Edhe mëngjesin e së shtunës, përpara nisjes së tubimit, disa kalimtarë kishin grisur fletët me mbishkrimin “Dialog” të vendosura mbi tryezë.
Ndërkohë, protesta kombëtare e 24 tetorit është mbështetur edhe nga pedagogë, mjekë dhe përfaqësues të sindikatës së biznesit të vogël, ndërsa ishte paralajmëruar pjesëmarrja e studentëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Për garantimin e sigurisë gjatë tubimit, policia shqiptare kishte angazhuar rreth dy mijë efektivë në terren, sipas informacioneve të raportuara gjatë ditës.
Protestat kanë vazhduar mes thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit dhe kundërshtimit të ofertave të tij për dialog. Rama, nga ana tjetër, ka deklaruar se mbetet i gatshëm të bisedojë me përfaqësuesit e protestuesve që distancohen nga dhuna.
Pamjet dhe raportimet për incidentin e së shtunës konfirmojnë djegien e jastëkëve të vendosur rreth tryezës, por jo shkatërrimin nga zjarri të vetë tryezës prej guri.






