Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, u është drejtuar shqiptarëve që jetojnë në Serbi, një ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit, duke bërë thirrje për bashkimin e votës rreth një liste të vetme zgjedhore.
Përmes mesazhit “Bashkojeni votën për një listë, për një qëllim”, Haziri ka vënë theksin te rëndësia e unitetit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përkatësisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Thirrja e tij vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku partitë politike shqiptare kanë vendosur të garojnë së bashku përmes listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”.
Marrëveshja për bashkimin e subjekteve politike shqiptare u arrit më 29 shtator në Prishtinë, pas takimeve të zhvilluara në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë koalicion bëjnë pjesë tetë subjekte politike nga Lugina e Preshevës, përfshirë Partinë për Veprim Demokratik, Alternativën për Ndryshim, Partinë Demokratike, Partinë Demokratike Shqiptare dhe katër subjekte të tjera shqiptare.
Bartës i listës së përbashkët është Shaip Kamberi, i cili ka qenë përfaqësuesi i vetëm shqiptar në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Serbisë.
Lista “Koalicioni Shqiptar” është certifikuar nga Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë si listë e pakicës kombëtare shqiptare dhe do të garojë për vende në parlamentin që numëron 250 deputetë.
Bashkimi i subjekteve politike shqiptare synon të shmangë ndarjen e votave ndërmjet listave të ndryshme, situatë që në zgjedhjet e mëparshme ka ndikuar në përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet serbe.
Në zgjedhjet e vitit 2020, kur partitë shqiptare garuan me një listë të përbashkët, arritën të siguronin tre mandate parlamentare. Në zgjedhjet pasuese, kur garuan të ndara, përfaqësimi i tyre ra në një deputet.
Ndër çështjet që koalicioni synon t’i trajtojë janë përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, pasivizimi i adresave, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, mbrojtja e identitetit kombëtar dhe zhvillimi ekonomik i komunave të Luginës së Preshevës.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen të dielën, më 25 tetor. Sipas të dhënave të autoriteteve zgjedhore serbe, të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë, ndërsa në garë marrin pjesë 18 lista zgjedhore.
Vendvotimet do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.






