Protestat për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale kanë vazhduar të enjten në Prishtinë, ku protestuesit kanë përsëritur se nuk do të ndalen deri në zbardhjen e rastit dhe marrjen e përgjegjësisë nga institucionet përkatëse.
“Do të vazhdojmë deri në drejtësi e përgjegjësi”, është mesazhi i përcjellë nga një protestuese gjatë protestës, duke shprehur vendosmërinë e pjesëmarrësve për të vazhduar reagimin qytetar.
Protestuesit janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe kanë marshuar drejt institucioneve të drejtësisë dhe ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Gjatë marshimit, ata kanë kërkuar drejtësi për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara, si dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Para ndërtesës së Qeverisë, protestuesit kanë shkruar mesazhet “Marre” dhe “Drejtësi” në dyert e objektit. Ata kanë përsëritur thirrjet për dorëheqje dhe shkarkime të zyrtarëve që, sipas tyre, duhet të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti.
Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe hetimi i veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve përgjegjës.
Protesta vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Para vrasjes, ajo kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe kishte ngritur shqetësime për sigurinë e saj.
Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për llogaridhënie. Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë mobilizimin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.






