Ushtruesja e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar shtimin e kontrollit dhe mbikëqyrjes ndaj zyrtarëve policorë, veçanërisht gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe atyre ku përfshihen të miturit.

Këto kërkesa ajo i paraqiti gjatë një takimi me zinxhirin komandues të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e mënyrës së trajtimit të rasteve të ndjeshme.

Në takim morën pjesë ushtruesi i detyrës së drejtorit rajonal të Policisë në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës, si dhe komandantët e stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj kërkoi që drejtuesit policorë të ushtrojnë kontroll më të madh ndaj vartësve të tyre, në mënyrë që rastet të trajtohen me profesionalizëm dhe në përputhje me procedurat ligjore.

Vëmendje e veçantë iu kushtua mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje, reagimit të shpejtë të institucioneve dhe koordinimit me mekanizmat përgjegjës për sigurimin e mbrojtjes së tyre.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për parandalimin e veprave penale, identifikimin e hershëm të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore.

Ky takim zhvillohet disa ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rast që nxiti hetime dhe masa disiplinore lidhur me mënyrën se si institucionet kishin trajtuar raportimet e viktimës.

Më 29 tetor, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi suspendimin e kryeprokurores së atëhershme të Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, duke caktuar Valbona Disha-Haxhosajn ushtruese të detyrës së kryeprokurores.

Ndërkohë, më 2 nëntor, Disha-Haxhosaj kërkoi edhe nga prokurorët e Pejës angazhim dhe vigjilencë më të madhe në trajtimin e rasteve, ndërsa prokurori Ermal Demhasaj u caktua koordinator për rastet e dhunës në familje.