Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mungesën e rezultateve në zbardhjen e rastit të Astrit Deharit, duke kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga partia në pushtet.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur të enjten, më 5 nëntor, në dhjetëvjetorin e vdekjes së ish-aktivistit të LVV-së, Tahiri tha se përveç kërkesës për drejtësi, duhet të kërkohet llogari edhe nga ata që kanë udhëhequr institucionet gjatë viteve të fundit.

Ai akuzoi shumicën parlamentare se, pavarësisht gjashtë vjetëve në pushtet, nuk ka arritur të ofrojë asnjë dëshmi konkrete që do të ndihmonte në sqarimin e rrethanave të vdekjes së Deharit.

Sipas Tahirit, institucionet duhet të japin përgjigje të qarta për familjen, qytetarët dhe deputetët, në vend që rasti të përdoret për përplasje politike.

“Ne kërkojmë drejtësi si ju, por kërkojmë edhe përgjegjësi dhe llogaridhënie”, deklaroi Tahiri nga foltorja e Kuvendit.

Deputeti i AAK-së kërkoi që përgjegjësia të mos kufizohet vetëm tek institucionet e drejtësisë, por të shqyrtohet edhe veprimi i zyrtarëve që kanë qenë në pushtet gjatë gjashtë vjetëve të fundit.

Deklaratat e tij vijnë në dhjetëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, i cili më 5 nëntor 2016 humbi jetën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në kohën kur po mbahej nën dyshimet për përfshirje në një sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të jenë objekt kundërshtimesh. Familja Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë këmbëngulur se ai është vrarë, ndërsa ekspertizat ndërkombëtare nuk kanë konfirmuar përfshirjen e një personi tjetër në vdekjen e tij.

Më 3 nëntor, kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me prokurorin special Bekim Kodraliu, priti familjarët e Deharit, duke u zotuar për angazhim institucional në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, gjatë homazheve të së enjtes, kritikoi mungesën e një përfundimi të procesit të drejtësisë, duke deklaruar se edhe pas dhjetë vjetësh nuk dihet kush është përgjegjës për vdekjen e Deharit.