Seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, më 12 nëntor, duke filluar nga ora 10:00.
Këtë e ka konfirmuar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur të hënën, më 9 nëntor.
“Seanca do të mbahet ditën e enjte në orën 10:00”, deklaroi Nagavci para mediave.
Në mesin e çështjeve të parapara për diskutim janë gjendja në sektorin e energjisë elektrike dhe problemet në shëndetësinë publike.
Sipas rendit të propozuar të ditës, deputetët pritet të zhvillojnë interpelancë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me rastin e një pacienteje me kancer të gjirit, për të cilën është raportuar se kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe për mungesën e barnave onkologjike.
Gjithashtu, është paraparë shqyrtimi i një mocioni për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se kërkesa e partisë së tij për debat parlamentar lidhur me energjinë është miratuar.
Tahiri ka deklaruar se diskutimi do të përqendrohet te çmimet e energjisë, furnizimi me rrymë dhe mënyra e realizimit të blerjeve të energjisë elektrike.
Përveç këtyre temave, në rendin e propozuar të ditës përfshihen edhe deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Seanca do të zhvillohet në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë.






