Ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, është dënuar me një vit burgim me kusht për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Vendimi është shpallur të hënën, më 9 nëntor, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në një rast që lidhet me dyshimet për ushtrim ndikimi në një çështje përmbarimore, ku përmendet një shumë prej 150 mijë eurosh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Dërguti kishte qenë në dijeni që nga tetori i vitit 2021 për veprimet e dyshuara të Hasan Morinës, Liridon Fandajt dhe Sali Dakajt, por nuk i kishte njoftuar organet kompetente.
Prokuroria pretendon se në nëntor të vitit 2019, Morina dhe Fandaj i kishin kërkuar Dakajt 300 mijë euro, duke i premtuar se do të ndikonin në vendimmarrjen e gjykatësit Latif Xhemajli për një lëndë përmbarimore.
Sipas dosjes së akuzës, pagesa ishte planifikuar të bëhej në dy pjesë, ku 150 mijë euro do të dorëzoheshin menjëherë, ndërsa pjesa tjetër përpara përfundimit të shqyrtimit të lëndës në Gjykatën e Apelit.
Prokuroria pretendon se më 24 nëntor 2019, në parkingun e një restoranti në Prishtinë, Dakaj ia kishte dorëzuar Morinës shumën prej 150 mijë eurosh, me qëllim sigurimin e një vendimi të favorshëm gjyqësor.
Çështja përmbarimore lidhej me kompaninë “EXCOM” Sh.P.K., në cilësinë e debitorit, dhe ndërmarrjen “Çlirimi”, në pronësi të Dakajt, në cilësinë e kreditorit.
Më 4 nëntor 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur ndërmjet Dërgutit dhe Prokurorisë Speciale.
Sipas marrëveshjes, për Dërgutin ishte propozuar dënimi prej një viti burgim me kusht, me periudhë verifikuese prej dy vjetësh, gjatë së cilës ai nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale.
Marrëveshje për pranimin e fajësisë kishte arritur edhe Sali Dakaj, për të cilin Prokuroria kishte propozuar një vit burgim me kusht dhe gjobë prej 5 mijë eurosh.
Ndërkohë, procedura penale ndaj Hasan Morinës dhe Liridon Fandajt është veçuar nga ajo e Dërgutit dhe Dakajt.
Për Morinën dhe Fandajn vazhdon të vlejë prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.






