Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit të mallrave në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ku gjatë kontrollit të një kamioni janë zbuluar pjesë për automjete të padeklaruara, me vlerë rreth 3,400 euro.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar gjatë kontrolleve të automjeteve transportuese që po hynin në territorin e Kosovës.

Kamioni, i cili ishte i ngarkuar me automjete, ishte paraqitur për përfundimin e procedurave të zhdoganimit.

Gjatë verifikimit të ngarkesës dhe dokumentacionit përcjellës, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll fizik, me ç’rast kanë zbuluar pjesë për automjete që nuk ishin përfshirë në deklarimin doganor.

Vlera e mallrave të padeklaruara, pa përfshirë detyrimet e importit, është vlerësuar në rreth 3,400 euro.

Për këtë rast, Dogana ka bërë të ditur se është iniciuar procedurë kundërvajtëse për mosdeklarim të mallrave, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.

Autoritetet doganore nuk kanë bërë të ditur identitetin e personit përgjegjës për transportimin e mallrave.

Rasti është duke u trajtuar sipas procedurave ligjore përkatëse.