Komuna e Podujevës ka përfunduar një projekt të ri infrastrukturor, përmes të cilit rruga “Zahir Pajaziti” lidhet me rrugën “Vëllezërit Frashëri” dhe magjistralen Podujevë–Prishtinë.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar të hënën, më 9 nëntor, se projekti është realizuar përmes dy kyçjeve të reja rrugore, të cilat synojnë të lehtësojnë lëvizjen e automjeteve dhe të zvogëlojnë ngarkesat në komunikacion.

Sipas Bulliqit, lidhjet e reja do t’u ofrojnë qytetarëve mundësi më të lehta për qarkullim, veçanërisht gjatë hyrjes dhe daljes nga qyteti.

“Kjo lidhje e re do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e automjeteve, do të zvogëlojë ngarkesat në trafik dhe do t’u kursejë kohë qytetarëve”, ka deklaruar Bulliqi.

Projekti nuk përfshin vetëm asfaltimin e rrugës, por edhe ndërtimin e shtigjeve për biçikleta dhe trotuareve për këmbësorë, me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe kushteve të lëvizjes.

Punimet për këtë lidhje rrugore janë zhvilluar në disa faza. Më 3 shtator, Komuna kishte njoftuar për nisjen e betonimit të urës që lidh magjistralen Podujevë–Prishtinë me rrugën “Vëllezërit Frashëri”.

Në atë kohë, Bulliqi kishte theksuar se lidhja do të krijonte një alternativë të re për qarkullimin e automjeteve në hyrje dhe dalje të Podujevës.

Me përfundimin e projektit, Komuna synon të përmirësojë funksionimin e rrjetit rrugor dhe të krijojë kushte më të përshtatshme për drejtuesit e automjeteve, biçiklistët dhe këmbësorët.

Bulliqi ka bërë të ditur se investimet në infrastrukturën rrugore do të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit, me synimin për të përmirësuar lidhjet ndërmjet rrugëve dhe lagjeve të Podujevës.