Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës pas vendimit për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke i akuzuar për keqmenaxhim të sektorit energjetik dhe për përfitime të dyshimta të tregtarëve të rrymës.
Përmes një reagimi në Facebook, të hënën, më 16 nëntor, Bajrami ka deklaruar se drejtuesit e Qeverisë kanë qenë të vetëdijshëm për pasojat e vendimeve të tyre në sektorin energjetik dhe për ata që, sipas saj, kanë përfituar prej tyre.
Ajo ka rikthyer në vëmendje kundërshtimin e disa projekteve energjetike, përfshirë termocentralin e planifikuar nga ContourGlobal, projektin e gazit amerikan përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe propozimet për gazin e lëngshëm amerikan.
Sipas deputetes së LDK-së, vendimet për këto projekte kanë ndikuar në gjendjen aktuale të sektorit dhe kanë favorizuar tregtarët e energjisë elektrike.
“Shtatë vjet kanë përfitu tregtarët e energjisë. E me gjasë, jo veç ata, por edhe këta që e kanë leju këtë gjendje”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka ironizuar me vendimin e fundit të Qeverisë, duke pretenduar se ekzekutivi po përpiqet ta paraqesë si veprim patriotik ndalimin e tregtisë së energjisë me kompanitë serbe.
“Tash me këtë vendim na shiten si patriotë të kësaj dekade”, është shprehur ajo.
Bajrami ka kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për shpenzimet e qytetarëve në sektorin e energjisë, duke pretenduar se një pjesë e madhe e parave kanë përfunduar në fitimet e tregtarëve dhe të personave që, sipas saj, kanë mundësuar vazhdimin e kësaj gjendjeje.
Reagimi i saj erdhi pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në të cilën u miratua ndalimi i tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Vendimi përfshin blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe transaksionet përmes transitit apo rishitjes në shtete të treta.
Kryeministri Albin Kurti e ka arsyetuar këtë masë me bllokimin e linjave ndërkufitare të transmetimit nga Serbia, duke deklaruar se pengesat në shfrytëzimin e këtyre kapaciteteve kanë shkaktuar dëme financiare dhe kanë vështirësuar furnizimin e Kosovës me energji.
Kurti ka paralajmëruar se ndalimi i tregtisë është masa e parë ndaj Serbisë dhe se mund të pasojnë kundërmasa të tjera nëse nuk zhbllokohen linjat e transitit.
Qeveria ka miratuar gjithashtu masa për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare gjatë muajit dhjetor, si dhe masa emergjente që përfshijnë Korporatën Energjetike të Kosovës dhe ndërmarrjen Ibër-Lepenc.
Bajrami ka qenë ndër zërat kritikë të politikave energjetike të Qeverisë. Edhe gjatë debatit parlamentar të 13 nëntorit, ajo kishte rikujtuar premtimet e mëhershme të Kurtit për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe kishte kërkuar shpjegime për planet e Qeverisë lidhur me tarifat dhe furnizimin.
Pretendimet e deputetes për përfitime të dyshimta dhe përgjegjësi të zyrtarëve qeveritarë mbeten akuza politike. Nuk janë paraqitur prova të verifikuara që vërtetojnë përfshirjen e zyrtarëve në përfitime të paligjshme nga tregtia e energjisë.






