Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin për ndikimin që tensionet politike dhe protestat në Shqipëri mund të kenë në ekonominë e vendit, duke paralajmëruar se investitorët kosovarë po tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm në marrjen e vendimeve për investime të reja.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar të hënën, më 16 nëntor, se pasiguria politike dhe përplasjet institucionale po ndikojnë në besimin e investitorëve, duke bërë që një pjesë e tyre të ngadalësojnë planet për zgjerimin e aktiviteteve në Shqipëri.

“Investitorët nuk investojnë aty ku mungojnë stabiliteti, siguria juridike dhe parashikueshmëria”, ka theksuar Shahini.

Sipas tij, mungesa e një mjedisi të qëndrueshëm politik dhe institucional mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e bizneseve, veçanërisht kur bëhet fjalë për projekte afatgjata që kërkojnë siguri dhe investime të konsiderueshme financiare.

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka theksuar se e drejta për protestë është e garantuar në një shoqëri demokratike, por ka bërë thirrje që përplasjet politike të mos pengojnë zhvillimin ekonomik, funksionimin e bizneseve dhe sigurinë e qytetarëve.

Shahini u ka kërkuar përfaqësuesve të pushtetit, opozitës dhe institucioneve shqiptare që përmes dialogut të kontribuojnë në krijimin e një klime më të qëndrueshme për investimet.

Sipas AKB-së, Shqipëria rrezikon shtyrjen apo humbjen e investimeve të planifikuara nëse pasiguria politike vazhdon, ndërsa pasojat mund të prekin edhe mundësitë për hapjen e vendeve të reja të punës.

Megjithatë, shqetësimet e ngritura nga Shahini nuk nënkuptojnë se investimet e huaja në Shqipëri kanë pësuar rënie. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, investimet e huaja direkte arritën në rreth 1.14 miliardë euro, duke shënuar rritje prej rreth 50 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Paralajmërimi i AKB-së lidhet kryesisht me rrezikun që pasiguria politike mund të krijojë për vendimet e ardhshme të investitorëve kosovarë.

Aleanca ka theksuar se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të forcohen më tej, me më shumë mundësi për investime të përbashkëta, prodhim, eksporte dhe punësim.

“Kapitali nuk pret pafundësisht”, ka paralajmëruar Shahini, duke theksuar se investitorët kërkojnë siguri, stabilitet dhe perspektivë përpara se të angazhojnë kapitalin e tyre.

AKB-ja u ka bërë thirrje institucioneve shqiptare që stabiliteti ekonomik dhe interesi i bizneseve të mos mbeten peng i përplasjeve politike.