Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me vizitën humanitare të ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, në Kosovë, duke e cilësuar gjendjen në familjen e tij si jashtëzakonisht të dhimbshme.

Në një deklaratë për media, të enjten, më 19 nëntor, Kurti ka shprehur solidaritet me familjen Krasniqi, pas vizitës së përkohshme të ish-kryeparlamentarit nga Haga.

“Është jashtëzakonisht e dhimbshme situata e rëndë në familjen e ish-kryekuvendarit, Jakup Krasniqi”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se në këto momente të vështira bashkëndjen me vuajtjen dhe dhimbjen e familjarëve, duke uruar që gjithçka të shkojë sa më mirë.

Ai përmendi edhe dënimin me 25 vjet burgim të Krasniqit nga Dhomat e Specializuara, duke pretenduar se aktgjykimi përmban “pasaktësi historike e faktike”.

Kurti theksoi se në këto rrethana qëndron pranë familjes Krasniqi.

Krasniqi vizitoi familjen për arsye humanitare

Jakup Krasniqi qëndroi të mërkurën, më 18 nëntor, për disa orë në shtëpinë e tij në Prishtinë, pas autorizimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Vizita u realizua nën masa të rrepta sigurie, me praninë e pjesëtarëve të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Sipas raportimeve, arsyeja e vizitës lidhet me gjendjen e rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdije Krasniqi.

Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se vizita është lejuar për arsye humanitare bindëse, pa dhënë hollësi për gjendjen shëndetësore të familjares.

Krasniqi u largua nga shtëpia rreth orës 17:00, ndërsa në pamjet e publikuara shihet i emocionuar gjatë përshëndetjes me familjarët.

Kjo ishte vizita e tij e dytë në Kosovë që nga transferimi në Hagë në nëntor të vitit 2020. Vizitën e parë e kishte realizuar në tetor 2024, pas vdekjes së vëllait.

Më 16 shtator 2026, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim në shkallë të parë në procesin për krime lufte. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet.