Hipopotami i famshëm Fiona, i cili kishte fituar zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën, ka ngordhur në moshën nëntëvjeçare në kopshtin zoologjik të Cincinnatit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi është konfirmuar më 19 nëntor nga drejtuesit e kopshtit zoologjik, të cilët njoftuan se Fiona kishte pësuar komplikime të rënda shëndetësore pasi kishte gëlltitur një kapelë të thurur që kishte përfunduar aksidentalisht në hapësirën e saj.
Incidenti kishte ndodhur më 8 nëntor, kur një vizitor kishte hedhur kapelën në ajër. Një ventilator e kishte marrë dhe e kishte përplasur në hapësirën ku qëndronte Fiona, përmes një hapjeje mbi dritaret e vëzhgimit.
Për rreth 11 ditë, ekipi veterinar ishte përpjekur ta shpëtonte hipopotamin, duke e mbajtur nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.
Veterinerët kishin kryer ekzaminime, përfshirë ultrazërin dhe kolonoskopinë, ndërsa kishin përdorur edhe një platformë vibruese për të ndihmuar kalimin e kapelës nëpër sistemin tretës. Megjithatë, përpjekjet nuk dhanë rezultat.
Sipas specialistëve, ndërhyrja kirurgjikale ishte tepër e rrezikshme për shkak të madhësisë së kafshës dhe ndërlikimeve të sistemit të saj tretës.
Drejtori i kopshtit zoologjik, Dave Jenike, ka shprehur tronditjen për humbjen e Fionës, duke theksuar se stafi kishte bërë gjithçka për ta shpëtuar.
Fiona ishte bërë e njohur ndërkombëtarisht që nga lindja e saj në janar të vitit 2017. Ajo kishte lindur gjashtë javë para kohe, me peshë vetëm 13 kilogramë, dhe kishte pak gjasa të mbijetonte.
Falë kujdesit të vazhdueshëm të veterinerëve, ajo ia kishte dalë të mbijetonte, ndërsa historia e saj ishte ndjekur nga miliona njerëz përmes rrjeteve sociale.
Vdekja e saj ka shkaktuar reagime të shumta në SHBA, ku Fiona konsiderohej simbol i shpresës dhe qëndrueshmërisë. Ajo do të mbushte dhjetë vjet në janar të vitit 2027.






