Momente emocionuese janë regjistruar të shtunën në lagjen Velania të Prishtinës, ku familjarët e Jakup Krasniqit kanë dalë në ballkonet e shtëpive të tyre për ta parë dhe përshëndetur nga larg ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi, i cili po qëndron në Kosovë për një vizitë katërditore për arsye humanitare, është kthyer edhe këtë mëngjes në shtëpinë e tij, nën shoqërimin e pjesëtarëve të EULEX-it.

Sipas pamjeve të publikuara, të afërmit e tij janë mbledhur në ballkone për ta pritur, ndërsa Krasniqi, sapo ka dalë nga automjeti, i ka përshëndetur me dorë përpara se të hynte në shtëpi.

Për shkak të kufizimeve të vendosura nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ai ka pasur mundësi të takohet vetëm me familjarët e ngushtë.

Në mesin e atyre që nuk kanë mundur ta takojnë nga afër është edhe vëllai i tij, Daut Krasniqi, i cili gjatë këtyre ditëve është parë pranë shtëpisë, duke pritur mundësinë për ta parë të vëllanë.

Vizita e Krasniqit në Kosovë është lejuar për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij. Ai ka mbërritur të mërkurën, më 18 nëntor, ndërsa kjo e shtunë shënon ditën e katërt dhe të fundit të qëndrimit.

Gjatë vizitës, Krasniqi ka kaluar disa orë në ditë me familjen, ndërsa netët i ka kaluar në objektet e EULEX-it në Fushë Kosovë, nën mbikëqyrje.

Pas përfundimit të vizitës humanitare, ai pritet të kthehet pasditen e së shtunës në Hagë, ku po mbahet në kuadër të procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.