Siguria e grave dhe vajzave në Kosovë vazhdon të mbetet një sfidë, ndërsa shqetësimet për dhunën në familje, ngacmimet në hapësirat publike dhe dhunën në internet kanë rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e tyre.
Çështja merr vëmendje të veçantë më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila shënon edhe fillimin e fushatës globale “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Përveç dhunës fizike, gratë dhe vajzat mund të përballen edhe me dhunë psikologjike, kontroll ekonomik, kërcënime, ngacmime seksuale dhe forma të ndryshme të dhunës digjitale.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për angazhim institucional dhe shoqëror në parandalimin e dhunës ndaj grave.
Sipas saj, kontrolli mbi lirinë, shkollimin, punësimin dhe financat e grave përbën formë të dhunës psikologjike dhe ekonomike.
Haxhiu ka theksuar se përgjegjësia për ushtrimin e dhunës i takon dhunuesit, ndërsa parandalimi i saj kërkon angazhimin e institucioneve dhe të gjithë shoqërisë.
Ajo ka kërkuar që gratë të besohen kur raportojnë dhunën, të marrin mbrojtje të menjëhershme dhe që autorët të përballen me drejtësinë.
Përgjegjësia institucionale në fokus
Debati për sigurinë e grave në Kosovë është intensifikuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Raporti i prezantuar nga Ministria e Drejtësisë lidhur me këtë rast ka evidentuar mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale në trajtimin e paralajmërimeve për rrezikun ndaj jetës së saj.
Pas ngjarjes, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë kundër dhunës ndaj grave dhe ka nisur hetimin parlamentar për përgjegjësinë institucionale në rastin e Zekajt.
Ndërkohë, për 25 nëntor është paraparë edhe një takim i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ku do të diskutohet mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore.
Në kuadër të aktiviteteve të kësaj dite, Komuna e Prishtinës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë planifikuar nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi për punësimin e grave viktima të dhunës në familje.
Pavarësia ekonomike, qasja në drejtësi dhe mbrojtja e menjëhershme mbeten ndër elementet kryesore për parandalimin e dhunës dhe mbështetjen e viktimave.
Fushata ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore do të vazhdojë deri më 10 dhjetor, kur shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.





