Moti në Kosovë gjatë ditës së enjte, më 26 nëntor, pritet të karakterizohet me vranësira të shumta dhe reshje të herëpashershme shiu, sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).
Pas temperaturave të ulëta dhe ngricave që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit, sot parashihet një ngritje e lehtë e temperaturave, por moti do të vazhdojë të jetë i paqëndrueshëm.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 dhe 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 5 deri në 8 gradë Celsius.
Sipas IHMK-së, gjatë ditës do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.
Vranësirat do të dominojnë në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në disa zona priten riga shiu në intervale të ndryshme kohore.
Ndryshimi i kushteve atmosferike vjen pas një periudhe me temperatura të ulëta, kur gjatë mëngjesit të së mërkurës temperaturat minimale ishin parashikuar të zbrisnin deri në minus 8 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.
Si do të jetë moti të premten?
Edhe gjatë së premtes, më 27 nëntor, pritet të mbajë mot kryesisht i vranët, me kushte për reshje shiu.
Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 2 dhe 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 5 deri në 9 gradë.
Era do të vazhdojë të fryjë nga jugperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.
Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se temperaturat e ulëta, lagështia dhe mjegulla e mundshme mund të ndikojnë në kushtet e komunikacionit, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit.
Qytetarëve u rekomandohet kujdes gjatë qarkullimit në rrugë dhe përshtatja e shpejtësisë me kushtet atmosferike.






