Reshjet që nisën të shtunën në mbrëmje mbuluan rrugë e trotuare në Prishtinë. Të dielën, më 29 nëntor, kryetari Përparim Rama njoftoi se ekipet e komunës kishin dalë për të larguar borën.

“Ekipet e Kryeqytetit janë në terren”, shkroi Rama në Facebook. Në fotografinë që shoqëron njoftimin shihet një kamion i mirëmbajtjes dimërore përballë një minibusi, në një rrugë me borë. Rama nuk e specifikoi vendndodhjen.

Pamjet e mëngjesit nga Prishtina tregonin se bora kishte vështirësuar si qarkullimin e veturave, ashtu edhe ecjen në trotuare. Një ditë më parë, drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, kishte njoftuar se kompanitë e mirëmbajtjes dimërore i kishin gati punëtorët dhe makineritë për të ndërhyrë në të gjitha zonat e kryeqytetit. Ai u kishte kërkuar kujdes të shtuar edhe qytetarëve që lëvizin në këmbë.

Vështirësi pati edhe në dy rrugë që çojnë drejt pikave kufitare. Sipas raportit të mëngjesit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në rrugët Prishtinë–Mutivodë dhe Podujevë–Merdarë automjetet mund të kalonin, por me vështirësi. Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, tha se ekipet e ministrisë kishin punuar gjatë natës në autoudhë dhe në rrugët nacionale e rajonale, ku kishin pastruar borën dhe kishin hedhur kripë për të parandaluar ngricat.