Nata e katërt e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, Prizren Fest, u hap me një minutë heshtje në nderim të gazetarit, dramaturgut të shquar Haqif Mulliqi, i cili ndërroi jetë të martën e 25 korrikut.
Në këtë event para të pranishmëve prizrenas, u prezantua trupa artistike nga Maqedonia e Veriut ”Teatrosk” tek Abi Çarshia. Me pantomimë e statuja të gjalla Teatrosk i dha sharm PRIZREN FEST-it, transmeton klankosova.tv.
”Teatrosk” është produksion i teatrit të rrugës që krijojnë teatër rruge, promovime në rrugë dhe ngjarje të ngjashme.
Tek Katedralja Katolike e Zojës Ndihmëtare u dha shfaqja GADJO (evropianët e rinj), një prodhim i Qendrës Multimedia në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Tiranë.
Kjo shfaqje e cila pati interesim të madh të publikut për ta parë, “Gadjo’’ (një term që romët e përdorin për jo-romët) synon të nxisë debat mbi racizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm te të rinjtë, por poashtu synon të hulumtojë dhe analizojë këtë shekull të mosdijes dhe intolerancës që nxitet e promovohet nga mediat e papërgjegjshme, në një mjedis ku tregu medial është kaotik dhe i pakontrolluar dhe ku nevoja për “klikime” është shndërruar në qëllim sipëror.
Nata e katërt e edicionit të dytë të Prizren Fest-it vazhdoi me shfaqjen ‘’21 e më tepër’’ nga Sllovakia, një shfaqje gjysmë stand-up dhe gjysmë vallëzim.
“21 e më tepër” eksploron me humor përdorimin e eufemizmave dhe korrektësisë politike si rrugë shpëtimi nga realiteti, duke pasqyruar kështu problemet e sotme me pranimin e proceseve të vazhdueshme në shoqërinë bashkëkohore, shkruan në njoftim, transmeton klankosova.tv.
The post Pjesëmarrësit e Prizren Fest nderojnë me një minutë heshtje veprën e Haqif Mulliqit appeared first on Klan Kosova.




