Numri i të prekurve me kancer të gjirit në Kosovë është rritur për më shumë se 10% në shtatë mujorin e vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Deri në gjysmën e gushtit të këtij viti, 270 persona janë diagnostifikuar me këtë sëmundje malinje, ku katër prej tyre janë meshkuj. Nga Klinika e Onkologjisë thonë se ka nevojë për rritje të stafit mjekësor, ndërsa shprehen se u mungon një hapësirë më e madhe për të trajtuar pacientët. Sa i përket furnizimit me barna esenciale, nga kjo klinikë thonë se qëndrojnë mirë.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi për KosovaPress tha se numri i të prekurve me kancer të gjirit po rritet nga viti në vit, ndërsa shton se ky numër mund të kalojë mbi 450 deri në fund të vitit.
Kurtishi u shpreh se Klinika e Onkologjisë ka nevojë për rritje të stafit mjekësor, duke shtuar se po mungojnë edhe hapësirat për dhënien e terapisë së pacientëve.
Kurtishi është shprehur i kënaqur edhe me pajisjen me aparatura të reja, për të cilat shprehet se të njëjtat iu kanë lehtësuar jetën pacientëve, duke mos pasur nevojë të shkojnë jashtë vendit për trajtim.
Ai shton se planifikojnë që ta reduktojnë listën e pritjes në zero për kontrolle.
Kurtishi për KosovaPress tha se ka mungesë të disa barnave esenciale, por që sipas tij, janë të furnizuar mjaftueshëm me ato më kryesoret dhe më të shtrenjtat.
Në anën tjetër, Kurtishi tha se duhet të rritet numri i njerëzve që e bëjnë mamografinë, ngaqë sipas tij, kështu mund t’i shmangemi sëmundjes.
Po ashtu, onkologu tregoi se në Prizren e kanë hapur një degë që shkojnë njëherë në muaj dhe bëjnë shpërndarjen e barnave tabletare dhe kontrollojnë pacientët me kancer të gjirit, derisa shtoi se mendojnë që ta hapin edhe një degë në ndonjë qendër tjetër të Kosovës.
Përndryshe, Klinika e Onkologjisë në QKUK është i vetmi institucion shëndetësor në vendin tonë që ofron shërbime specifike për pacientët me sëmundje malinje./Z.Zeneli/
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim!