Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.
Në një mbledhje të Këshillit Drejtues, kjo parti ka diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ka theksuar se ka treguar gatishmëri të plotë për të ndihmuar në zhbllokimin e situatës institucionale.
Sipas deklaratës, PDK kishte mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa vendosur kushte apo kërkesa për përfshirje në bashkëqeverisje. Megjithatë, sipas tyre, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit nga ana e pushtetit ka bërë që procesi të mos avancojë.
“Rrjedhimisht, PDK e konsideron kontributin e saj në këtë proces të përmbyllur”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në këtë mbledhje është shprehur shqetësim për gjendjen ekonomike në vend dhe rritjen e kostos së jetesës, duke kërkuar masa urgjente për mbështetjen e qytetarëve.
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për vendin, pasi procesi i zgjedhjes së presidentit mbetet i bllokuar dhe ekziston rreziku i thellimit të krizës politike.



