Anthony Joshua ka nënshkruar një marrëveshje për të zhvilluar një supermeç kundër bashkëkombasit dhe ish-kampionit të peshave të rënda Tyson Fury, ka njoftuar promotori Eddie Hearn.
Sipas mediave angleze, Joshua fillimisht do të rikthehet në ring më 25 korrik në Riyadh, ku do të përballet me boksierin shqiptar Kristian Prenga, në atë që konsiderohet si meçi i tij i parë pas një periudhe të gjatë mungese nga ringu, transmeton Klankosova.tv.
Joshua rikthehet në ring, përball do ta ketë një shqiptar – Klan Kosova
Joshua dhe Fury, të dytë dy herë kampion bote në peshat e rënda, kanë dominuar skenën e boksit britanik dhe atë botëror për më shumë se një dekadë.
Megjithatë negociatat për një përballje mes tyre kanë zgjatur prej vitesh, deri më tani ky duel historik nuk ishte realizuar.
Eddie Hearn ka deklaruar në rrjetet sociale se përballja mes dy boksierëve “është nënshkruar dhe finalizuar”, edhe pse data dhe vendi i zhvillimit nuk janë konfirmuar zyrtarisht, sipas raportimeve nga mediat angleze, transmeton Klankosova.tv, dueli mund të zhvillohet në muajin nëntor, me mundësinë që të transmetohet edhe në platformën Netflix.
Anthony Joshua, 36 vjeç, ka theksuar se po rikthehet gradualisht në formë pas një periudhe të vështirë, e cila përfshin edhe një aksident tragjik në Nigeri, ku humbën jetën dy anëtarë të ekipit të tij. Ai është shprehur se kjo periudhë i ka shërbyer për rikuperim fizik dhe mendor para rikthimit në nivelin më të lartë.
Në anën tjetër, Tyson Fury, 37 vjeç, ndodhet gjithashtu në fazë rikthimi dhe ka vazhduar ta sfidojë publikisht Joshuan për këtë përballje të shumëpritur.
Joshua fillimisht duhet të kalojë testin ndaj Prengës, i cili ka 20 fitore me nokaut në 21 ndeshje, përpara se të fokusohet te sfida e madhe britanike që pritet të hyjë në historinë e boksit modern si një nga përballjet më të mëdha të të gjitha kohërave.


