Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë të ditur se pas një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, është arritur një dakordim që forcat izraelite të mos dislokohen në Beirut, në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Përmes një postimi në platformën Truth Social, Trump e cilësoi komunikimin me Netanyahun si “shumë produktiv”, duke bërë të ditur se njësitë ushtarake izraelite që ishin në lëvizje drejt kryeqytetit libanez kanë marrë urdhër për t’u tërhequr.
“Pata një bisedë telefonike shumë produktive me kryeministrin e Izraelit, Bibi Netanyahu. Nuk do të ketë trupa që do të shkojnë në Bejrut dhe ato që ishin në lëvizje janë tërhequr tashmë”, ka shkruar Trump, transmeton Klankosova.tv.
Presidenti amerikan tha se janë zhvilluar kontakte edhe me përfaqësues të Hezbollahut, të cilat sipas tij kanë rezultuar pozitive dhe kanë ndihmuar në uljen e tensioneve në rajon.
“Së bashku me përfaqësues të lartë zhvillova një bisedë shumë të mirë me Hezbollahun dhe ata ranë dakord që të ndalen të gjitha shkëmbimet e zjarrit. Izraeli nuk do t’i sulmojë ata dhe ata nuk do të sulmojnë Izraelin”, deklaroi Trump.
Sipas presidentit amerikan, ndalimi i dislokimit të trupave izraelite në Bejrut ka qenë një nga kushtet e vendosura nga Irani për vazhdimin e kontakteve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë për stabilizimin e situatës në rajon.
Trump ka bërë të ditur se negociatat me Teheranin po vazhdojnë dhe se procesi diplomatik nuk është ndërprerë.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku përpjekjet diplomatike për të shmangur një konflikt më të gjerë rajonal janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit.




