Mijëra qytetarë u mblodhën më 28 nëntor në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në raportimin nga kryeqyteti shqiptar, agjencia Reuters përshkruan se si protesta e udhëhequr nga studentët u përshkallëzua në dhunë. Agjencia e cilëson valën e protestave të muajve të fundit si sfidën më të madhe për Ramën që nga viti 2013, kur ai mori drejtimin e qeverisë.
Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarë të ardhur nga disa pjesë të Shqipërisë dhe nga diaspora u mblodhën në 114-vjetorin e Pavarësisë. Gjatë marshimit, disa protestues të maskuar goditën me gurë një ndërtesë qeveritare. Sipas gazetarit të Reuters në terren, policia i zmbrapsi kur ata u përpoqën të afroheshin te Kryeministria. Një pjesë e protestuesve hodhën gurë dhe molotovë drejt policëve, të cilët përdorën ujë me presion, gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë, deri në orën 15:15, në dy spitale të Tiranës kishin kërkuar ndihmë 19 persona. Mes tyre ishin nëntë protestues, gjashtë policë dhe katër punonjës të medias. Në orën 16:05, MCN raportoi, duke iu referuar burimeve policore, se policia kishte shoqëruar 10 persona.
Inxhinierja 45-vjeçare Eralda Baze, një nga pjesëmarrëset që foli për Reuters, përmendi korrupsionin, varfërinë dhe emigrimin si arsyet që e nxorën në shesh. Protestues të tjerë folën për vështirësitë për të gjetur punë dhe për cilësinë e arsimit e të shërbimeve shëndetësore.
Në një nga pankartat lexohej “Shqipëria nuk është në shitje”. Parulla lidhet me fillimet e protestave në fund të majit, kur qytetarët kundërshtuan një projekt turistik luksoz në bregdetin jugor, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Gjatë verës, tubimet ishin kryesisht paqësore. Në vjeshtë, protestat studentore u shtrinë edhe në qytete të tjera dhe kërkesave për arsim e kushte më të mira jetese iu shtua ajo për dorëheqjen e kryeministrit.
Qeveria shqiptare i ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ka bërë thirrje për dialog. Për projektin në bregdet, Rama ka deklaruar se investimi është i ligjshëm dhe se habitatet natyrore të zonës do të mbrohen.






