Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkë me të birin, ka vizituar më 28 nëntor bashkëshortin e saj, Rexhep Selimin, në Hagë. Vizita familjare përkoi me 29-vjetorin e ditës kur Selimi doli para qytetarëve në Llaushë të Skenderajt dhe lexoi deklaratën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga Haga, deputetja publikoi një fotografi me të birin. Të dy mbajnë në duar një fanellë të kuqe me emblemën e UÇK-së. Në mesazhin që shoqëron fotografinë, ajo kujtoi Mujë Krasniqin dhe Daut Haradinajn, dy luftëtarët që qëndruan përkrah bashkëshortit të saj më 28 nëntor 1997.
“Nga fushëbeteja kundër padrejtësisë, këtu në Hagë, sot kujtoj me krenari këtë ditë të rëndësishme të historisë sonë”, shkroi Mehmeti-Selimi. Në urimin për Ditën e Flamurit, ajo përmendi edhe Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Ismail Qemalin dhe Adem Jasharin.
Dalja e parë publike e UÇK-së ndodhi gjatë varrimit të mësuesit Halit Geci në Llaushë. Mijëra qytetarë ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën mësuesit të vrarë nga forcat serbe. Para tyre dolën me uniformë Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj. Selimi mori fjalën në emër të UÇK-së, e cila deri atëherë kishte vepruar në ilegalitet.
Dy ditë para vizitës familjare në Hagë, pamjet e atij fjalimi u shfaqën në Kuvendin e Kosovës. Në hapje të seancës së 26 nëntorit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kujtoi mësuesin Geci dhe ftoi deputetët të ndiqnin videon nga ceremonia në Llaushë.






