E ardhmja e sulmuesit anglez Marcus Rashford te Barcelona vazhdon të mbetet e paqartë, pasi klubi katalunas ende nuk ka vendosur nëse do ta aktivizojë opsionin e blerjes prej 30 milionë eurosh nga Manchester United, përpara se kjo klauzolë të skadojë më 15 qershor.
Rashford, i cili aktualisht po përgatitet me kombëtaren e Anglisë për Kupën e Botës, pret nga klubi katalunas, ndërsa afati kontraktual vendimtar po i afrohet dhe mund të përcaktojë hapin e tij të ardhshëm në karrierë, raporton MARCA, transmeton Klankosova.tv.
Barcelona ka të drejtën e transferimit të përhershëm të Rashford nga Manchester United për 30 milionë euro, por nëse klubi nuk vepron deri më 15 qershor, marrëveshja bëhet e pavlefshme dhe çdo transferim i mëtejshëm do të kërkonte nisjen e negociatave nga e para.
Nëse kjo klauzolë skadon, Manchester United do të rimarrë kontrollin e plotë mbi të ardhmen e Rashford, ndërsa Barcelona do të duhet të shqyrtojë alternativa të tjera, përfshirë mundësinë e një marrëveshjeje të re huazimi.
Raportohet gjithashtu se Rashford ka pranuar një ulje të ndjeshme të pagës për t’iu bashkuar Barcelonës, duke treguar gatishmërinë e tij për të kontribuar në projektin e skuadrës.
Trajneri Hansi Flick kishte lënë të kuptohej më herët se Rashford mbetej pjesë e planeve të tij për sezonin e ardhshëm, por transferimi i fundit i Barcelonës, blerja e sulmuesit Anthony Gordon për 80 milionë euro, ka krijuar pasiguri të re në lidhje me rolet dhe hierarkinë në repartin ofensiv të ekipit katalunas.
Drejtuesit e klubit pritet të marrin një vendim përfundimtar në ditët në vijim, duke vendosur fatin e një prej sulmuesve më të ndjekur anglez në Evropë dhe rolin e tij të ardhshëm në skuadrën e Barcelonës.


