Një grua është gjobitur me 300 euro në Prizren pasi dyshohet se i la fëmijët e saj të mitur të mbyllur në një veturë të parkuar pranë një qendre tregtare, në kushte të temperaturave të larta.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 27 qershor, rreth orës 17:50, kur autoritetet kanë pranuar informacion se disa fëmijë ndodheshin të mbyllur brenda automjetit dhe ishin të rraskapitur nga i nxehti. Zyrtarët policorë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë hapur veturën me ndihmën e një shufre metalike.
Fëmijët, sipas policisë, ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga temperaturat e larta. Në vendngjarje është paraqitur më pas edhe nëna e tyre, ndaj së cilës është shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh për kundërvajtjen “Moskujdes ndaj të miturit”.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të mos lënë asnjëherë fëmijët të mbyllur në automjete gjatë ditëve me temperatura të larta, duke paralajmëruar se pasojat mund të jenë serioze dhe madje fatale.



