Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon ta humbasë besimin e Uashingtonit nëse nuk arrin të dalë nga ngërçi politik dhe të ndërmarrë hapa konkretë në përmbushjen e prioriteteve strategjike.
Në një intervistë, Hovenier ka theksuar se mungesa e institucioneve funksionale po dëmton pozitën e Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Sipas tij, vendi ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme dhe institucione funksionale për të avancuar proceset e rëndësishme shtetërore.
Ai ka shtuar se administrata amerikane pret veprime konkrete nga Kosova dhe ka theksuar se vëmendja e Uashingtonit nuk është e pakufizuar, duke bërë thirrje që mundësitë për bashkëpunim të shfrytëzohen pa vonesa të panevojshme.
Deklaratat e Hovenier vijnë në një kohë kur procesi i konstituimit të institucioneve dhe zhvillimet politike në Kosovë vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë bërë vazhdimisht thirrje për stabilitet institucional dhe bashkëpunim politik.



