Ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, ka vazhduar të përfitojë pagë si ushtruese detyre e drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës, edhe pse ky institucion ishte mbyllur zyrtarisht që nga viti 2021.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, Paunoviq e mbajti këtë funksion nga viti 2014 deri në prill të vitit 2025, kur u emërua ministre në Qeverinë e Serbisë. Dokumentet tregojnë se kërkesën për mbylljen e institucionit e kishte dorëzuar vetë ajo në vitin 2021, por pavarësisht kësaj vazhdoi të figurojë si drejtoreshë dhe të marrë pagë.
Rasti ka marrë vëmendje të shtuar edhe për shkak të deklaratave të fundit të Paunoviq, e cila kishte thënë se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën. Pas reagimeve të shumta, ajo deklaroi se fjalët e saj ishin keqinterpretuar, por nuk kërkoi falje ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës e kanë shpallur Paunoviq person të padëshiruar, ndërsa rasti ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, Serbi dhe në Bashkimin Evropian.



