Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pas konferencës së përbashkët të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Gashi ka kritikuar dy ministrat për mënyrën se si është trajtuar rasti, duke kërkuar që ata të marrin përgjegjësi për dështimet institucionale.

“ Keni dështuar, jepni dorëheqje”, është mesazhi i deputetit të LDK-së drejtuar dy ministrave.

Reagimi i tij vjen pas konferencës së 30 tetorit, ku Gërvalla dhe Sveçla prezantuan gjetjet nga raportet e dy ministrive për trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.

Gjatë konferencës, Gërvalla bëri të ditur se institucionet kishin marrë sinjale paraprake për rrezikun që i kanosej Arlindës, ndërsa theksoi se raporti ende nuk është përfundimtar, pasi disa institucione nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar.

Ndërkaq, Sveçla deklaroi se nuk beson që dorëheqja e tij dhe e Gërvallës do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe parandalimin e rasteve të tilla.

Kërkesat për dorëheqjen e dy ministrave janë ngritur edhe nga protestuesit që prej vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.