Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas konferencës së ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoti ka kritikuar dy ministrat, duke thënë se përgjegjësia për dështimet institucionale nuk mund të fshihet pas hallkave të sistemit, pasi ato drejtohen nga njerëz që duhet të japin llogari.
Ai ka rikujtuar se Arlinda Zekaj kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun me të cilin përballej, por sipas tij, institucionet nuk arritën ta mbronin.
Hoti ka pretenduar se Arlinda ishte lënë në shtëpi nga organet e rendit dhe ishte vrarë rreth dhjetë minuta më vonë.
“Sot fshihuni pas ‘hallkave’. Por hallkat kanë emër. Kanë ministër. Llogaridhënia nuk është raport. Është dorëheqje”, ka shkruar Hoti.
Ai ka kërkuar dorëheqjen e Sveçlës dhe Gërvallës, duke vlerësuar se përgjegjësia politike duhet të nisë nga drejtuesit e institucioneve dhe jo të kufizohet vetëm te zyrtarët e niveleve më të ulëta.
Reagimi i Hotit vjen pas konferencës së përbashkët të dy ministrave, më 30 tetor, ku u prezantuan gjetjet fillestare lidhur me trajtimin institucional të rastit.
Ministrja Gërvalla bëri të ditur se dokumentacioni i shqyrtuar deri atëherë kishte evidentuar vonesa, mangësi dhe mosveprime institucionale. Ajo gjithashtu deklaroi se raporti nuk ishte përfunduar, pasi disa institucione nuk kishin dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuara.
Ndërkaq, Sveçla njoftoi se 11 zyrtarë policorë në Pejë ishin suspenduar, pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës, dhe se hetimet për përgjegjësitë në këtë rast do të vazhdonin.
Vrasja e Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur protesta të njëpasnjëshme në Prishtinë, ku qytetarët dhe aktivistët po kërkojnë drejtësi, përgjegjësi institucionale dhe dorëheqjen e dy ministrave.






