Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas konferencës së tyre për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Përmes një reagimi në Facebook, Miftaraj i ka akuzuar dy ministrat se po përpiqen t’i shmangen përgjegjësisë institucionale, duke e cilësuar paraqitjen e tyre para mediave si përpjekje për të mbuluar dështimet.
Ai ka përdorur shprehjen “lot krokodili” për të përshkruar reagimin e tyre gjatë konferencës, duke kritikuar gjithashtu faktin se, sipas tij, po kërkojnë përgjegjësi nga të tjerët, por jo nga vetja.
Miftaraj ka theksuar se përgjegjësia institucionale dhe morale nuk mund të shmanget nga ata që udhëheqin institucionet shtetërore.
“Pushteti nuk është vetëm privilegj. Është përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, drejtori i IKD-së ka kërkuar që ministrat të tregojnë empati dhe dinjitet ndaj familjes së Arlinda Zekajt, duke shtuar se dorëheqja në raste të tilla nuk ka alternativë.
Reagimi i Miftarajt vjen pas konferencës së përbashkët të Gërvallës dhe Sveçlës, të mbajtur të premten në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku u prezantuan gjetjet nga raportet për trajtimin institucional të rastit.
Gjatë konferencës, Gërvalla deklaroi se dokumentacioni i shqyrtuar deri më tani ka evidentuar vonesa dhe mosveprime institucionale. Ajo bëri të ditur se raporti ende nuk është i plotë, pasi disa institucione nuk kanë dorëzuar të gjitha dokumentet dhe sqarimet e kërkuara.
Ministrja gjithashtu tha se institucionet kishin marrë paralajmërime të përsëritura për rrezikun që i kanosej Arlindës para vrasjes së saj më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Ndërkohë, kërkesat për dorëheqjen e dy ministrave kanë vazhduar edhe gjatë protestave të organizuara në Prishtinë, ku qytetarët dhe aktivistët po kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi për rastin.






