Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e së premtes, më 30 tetor, në bypass-in e Fierit në Shqipëri, ku dy persona kanë mbetur të plagosur pas përmbysjes së një veture.

Ngjarja është regjistruar pranë mbikalimit të fshatit Baltëz. Një automjet i tipit “Audi” është përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës dhe më pas është përmbysur në autostradë.

Si pasojë e aksidentit, lëndime kanë pësuar drejtuesi i veturës dhe një pasagjer që ndodhej brenda saj. Të dy janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit për të marrë ndihmë mjekësore.

Sipas informacioneve paraprake, gjendja shëndetësore e njërit prej të plagosurve paraqitet më e rënduar, ndërsa ende nuk ka një njoftim të detajuar zyrtar për shkallën e lëndimeve të tyre.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet policore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë për trajtimin e situatës.

Autoritetet po punojnë për dokumentimin e aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në përplasjen dhe përmbysjen e automjetit.

Sipas një raportimi nga vendngjarja, në aksident është përfshirë edhe një kamionçinë e tipit “Mercedes-Benz”, me të cilën dyshohet se është përplasur vetura “Audi”, para se të godiste barrierat mbrojtëse. Ky detaj mbetet për t’u konfirmuar zyrtarisht.

You may also like
Berisha: Jemi në prag të një fitoreje të pashmangshme të opozitës