Dy persona janë arrestuar në Tiranë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se mashtruan një 70-vjeçar dhe i morën 100 mijë euro.
Sipas Policisë së Tiranës, të dyshuarit, të moshave 31 dhe 23 vjeç, së bashku me personin e shpallur në kërkim, i janë prezantuar të moshuarit si persona që ai i njihte. Ata i kanë marrë shumën me premtimin se do t’ia kthenin pas disa orësh.
70-vjeçari, i cili ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave, ka njoftuar Policinë pasi paratë nuk iu kthyen në kohën e premtuar.
Policia ka paralajmëruar qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve, përfshirë videot e krijuara me inteligjencë artificiale, dhe të mos japin para apo të dhëna personale pa verifikuar identitetin e personave që i kontaktojnë.






